Java e Nobelit

5 tetor 2009 - Tre shkencëtarët amerikanë, Elizabet Blekbërn, Karol Greider dhe Xhek Zostak, fitojnë çmimin për mjekësi. Ata janë vlerësuar për punën e tyre lidhur me enzimat.

Xhek Zostak, njëri nga laureatët e çmimit për mjekësi.

Elizabet Blekbërn dhe Karol Greider, laureatet e çmimit për mjekësi.

6 tetor 2009 - Laureatët e çmimit Nobel për fizikë. Gjysmën e çmimit e mori Çarls Kao, shtetas britaniko-amerikan i lindur në Kinë për “arritjet e jashtzakonshme” në fijet optike, gypa të hollë që transmetojnë informata digjitale në largësi. Amerikani Xhorxh Smith dhe Uillard Bojll, i cili ka shtetësi amerikane dhe kanadeze, e ndanë gjysmën tjetër të çmimit për shpikjen e një pjese që përdoret në kamerat digjitale.

7 tetor 2009 - Fituesit e çmimit për kimi. Venkatraman Ramakrishnan, Tomas Stejc dhe izraelitja Ada Jonath fituan çmimin, për studimet e tyre mbi strukturën dhe funksionimin e ribozomeve.

8 tetor 2009 - Herta Myller, fiton çmimin Nobel për letërsinë. Shkrimtarja gjermane, është shpërblyer, për veprat e saj mbi “detajet e jetës së përditshme në një diktaturë stagnuese”.

9 tetor 2009 - Presidenti amerikan Barak Obama fiton çmimin Nobel për paqe. Komiteti për Çmimin Nobel e ka vlerësuar lart presidentin Obama për “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme në sforcimin e diplomacisë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin midis popujve”.

Çmimi Nobel për Paqe